Çka ofron platforma:
Platforma JanjevaTourism është zhvilluar nga EC Ma Ndryshe (EC) me qëllim të ofrimit të të dhënave praktike dhe orientuese për turistët vendor dhe të huaj. Rrjedhimisht ajo ka për qëllim dhe paraqet edhe një tjetër përpjekje të EC-it për promovim të turizmit kulturor dhe natyror të Kosovës, si një nga burimet potenciale kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit. Ideja për krijimin e kësaj platforme ka buruar edhe nga angazhimet dhe hulumtimet e deritashme të EC-it në fushën e turizmit të cilat kanë dëshmuar nevojën për promovim më të madh të pasurive kulturore dhe natyrore në vend.
JanjevaTourism është punuar me metodologji të paracaktuar. Për të siguruar ofrim të informatave të sakta dhe kredibile të dhënat janë mbledhur direkt nga terreni me ç’rast janë vizituar mbi 60 pika/lokacione. Për siguri edhe më të madhe, informatat e mbledhura janë verifikuar edhe nga institucionet përgjegjëse (dokumentet zyrtare të institucioneve përgjegjëse). Përpos saktësisë, aplikimi i kësaj metodologjie ka mundësuar edhe kontaktin e drejtpërdrejtë dhe ngritjen e kapaciteteve të ekipit të angazhuar.
Platforma ofron informatat, si: lokacioni, kategoria e lokacionit, statusi i mbrojtjes, shenjëzimi, infrastruktura, shfrytëzimi, orientimi deri në lokacion nëpërmjet Google Map (Get Directions), gjatësia dhe gjerësia gjeografike për secilën pikë të hartëzuar. Të dhënat e lokacioneve të regjistruara janë të ndara në tre kategori kryesore: pasuri kulturore, pasuri natyrore dhe shërbime. Aktualisht, platforma përmban të dhëna për lokacione të të gjitha komuniteteve të Janjevës.
Edhepse qëllimi kryesor i platformës është informimi i vizitorëve vendor dhe atyre të huaj, zhvillimi i saj duhet parë edhe si kontribut në edukim dhe mbrojtje të pasurive si dhe nxitjen e angazhimit dhe diskursit institucional dhe publikut në përgjithësi mbi mundësitë, potencialet dhe nevojën e zhvillimit dhe promovimit tutje të turizmit në Kosovë.
Platforma JanjevaTourism mund të përditësohet nga audienca, komuniteti apo edhe profesionistët duke na dërguar e-mail apo edhe fotografi tek info@ecmandryshe.org.